Social Icons

Sunday, July 28, 2013

Hakerat Shqiptarë Vodhën Programe Të FBI, I Shpëtojnë Burgut

TIRANE , Hakerat shqiptarë vodhën programe të FBI, i shpëtojnë burgut- Gjykata e Tiranës ka dënuar me nga 1 vit e 6 muaj burg dy adoleshentë 16-vjeçarë, të akuzuar si anëtarë të një grupi hakerash, që kanë sulmuar faqe të ndryshme interneti në Shqipëri, Kosovë e Serbi. Të pandehurit Samed F. dhe Gerdal D. kishin siguruar programe kompjuterike të veçanta, deri tek ato që përdoren nga FBI-ja amerikane kundër kriminelëve kompjuterikë. Përmes tyre, ata kanë vjedhur të dhënat personale të shtetasve të ndryshëm, duke u marrë adresat dhe fjalëkalimet në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Twitter”, si dhe kanë ndërhyrë në sisteme kompjuterike të subjekteve shtetërore brenda e jashtë vendit. Në grupimin e piratëve kompjuterikë “Albanian Cyber Army” (Ushtria Kibernetike Shqiptare), të pandehurit njiheshin me nofkat 1NJ3CTOR dhe N3G4T1VY. Dy 16-vjeçarët nuk do të qëndrojnë asnjë ditë në qeli, pasi gjykata vendosi përjashtimin e tyre nga dënimi. Ata përfituan nga mosha e mitur dhe raporti psikologjik ndaj tyre. “Dy të pandehurit shprehen të penduar dhe, duke qenë se janë nxënës të shkëlqyer në mësime e dëshirojnë të vazhdojnë shkollën jashtë shtetit, dënimi i tyre do të sillte pengesa në shkollimin universitar”, arsyetonte Gjykata.
HETIMIReferuar vendimit të gjykatës, hetimi ndaj dy adoleshentëve ka nisur pas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme e Policisë së Shtetit, se ata ishin anëtarë të grupit “Albanian Cyber Army”. Ata janë mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim ambiental dhe ka rezultuar se shpenzonin kohë të gjatë në banesat e tyre. Në vijim, me leje të Gjykatës së Tiranës, është bërë kontroll në banesa, ku edhe u janë sekuestruar të gjitha pajisjet kompjuterike. Nga analiza e këtyre materialeve ka dalë në dritë gjithë veprimtaria kriminale kompjuterike e dy të rinjve.
FAJESIASipas Gjykatës, mënyra më e zakonshme e dy të rinjve të dënuar për vjedhjen e adresave dhe fjalëkalimeve të Facebook-ut kishte qenë ajo e “Peshkimit” (fishing). Kjo mënyrë nënkupton vjedhjen e të dhënave të llogarisë në “Facebook” të një përdoruesi, duke i paraqitur atij përpara një faqe të klonuar, që është identike në pamje me faqen origjinale të rrjetit social. Ndërkohë, të dhënat, adresa dhe fjalëkalimi i kalojnë “krijuesit” të faqes false. Sipas vendimit të Gjykatës, në kompjuterët e sekuestruar dy të rinjve u janë gjetur skedarë që përmbanin të dhëna të ndryshme të adresave të postës elektronike të shtetasve të ndryshëm dhe fjalëkalimet përkatëse. “Rezulton plotësisht e provuar se të pandehurit Gerald D. dhe Samed F., nëpërmjet hyrjes së paautorizuar në sistemin kompjuterik të rrjetit ‘Facebook’ apo dhe rrjeteve të tjera, nëpërmjet cenimit dhe vjedhjes së fjalëkalimeve të përdoruesve, ndërhyrjes në sistemet kompjuterike të subjekteve shtetërore dhe private brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe duke keqpërdorur pajisjet dhe programet kompjuterike, kanë konsumuar plotësisht veprat penale të ‘hyrjes së paautorizuar kompjuterike’, ‘ndërhyrje në sistemet kompjuterike’ dhe ‘keqpërdorim të pajisjeve’”, thuhej në vendim.